Prokuroria Themelore në Mitrovicë, departamenti i Krimeve të Rënda, ka ngritur aktakuzë, në Gjykatën Themelore në Mitrovicë, kundër të pandehurve G.G. dhe L.O., në drejtim të veprave penale “Rrëmbimi”,  dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve“.

Në një njoftim për media, prokuroria njofton opinionin se të pandehurit G.G. dhe L.O., më 24 shkurt 2019, në fshatin Llaushë të Skenderajt, me përdorimin e forcës dhe të kanosjes duke përdorur armën, e kanë marrë dhe mbajtur viktimën M.G., me qëllim që të mos e lirojnë para se i njëjti t’u ofrojë të pandehurve dobi pasurore.

“Me këto veprime, të pandehurit dyshohen se kanë kryer veprën penale ‘Rrëmbimi’, nga neni 194 paragrafi 2 nën paragrafi 2.1 dhe 2.3 të lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. Po ashtu, i pandehuri G.G., ka pasur në posedim armën e tipit ‘Skorpion’, dhe me veprimet e tij dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim i paautorizuar i armëve nga neni 374, paragrafi 1 të KPRK. Ndërkaq, i pandehuri L.O., më 25 shkurt 2019, e ka thirrur dhe kërcënuar seriozisht viktimën M.G, me çfarë dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Kanosje’ nga neni 185, paragrafi 2 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

KESCO

Sipas njoftimit, Prokurori i Shtetit, i ka propozuar Gjykatës Themelore në Mitrovicë, që të pandehurit t’i shpallë fajtorë për veprat e kryera penale dhe ti dënojë sipas ligjit.​ /KlinaPress/