Connect with us

Lajme

Haradinaj: I gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe miqësinë e përjetshme me SHBA-në

Published

on

Princ Caffe Banners

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, mori pjesë në shënimin e ditëlindjes dhe inicimit të ndërtimit të bustit për senatorin Bob Dole, që do të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Me këtë rast, Haradinaj tha se ky është një moment mjaftë i mirë për t’i uruar një miku të Kosovës ditëlindjen dhe ai është senatori Bob Dole, duke falënderuar për prezencën dhe kujdes ambasadorin e SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, Alison Kosnett dhe drejtorin ekzekutiv të Odës Ekonomike Amerikane, Arian Zeka.

“Po më atribuohet shumë kujdesi për këtë përmendore dhe t’iu them të drejtën unë vetëm ndihmoj, por iniciativa ka ardhur prej qytetarëve, bizneseve, Odës, shumë miqve që janë këtu prezentë dhe më lejoni t’ju falënderoj gjithë juve që jeni bashkuar sot dhe me rastin e ditëlindjes së Senatorit Bob Dole, ne po shënojmë nisjen e projektit për një përmendore për senatorin Bob Dole”, tha Haradinaj.

KESCO

Ai falënderoi senatorin Bob Dole për dakordimin e dhënë që ne të veprojmë kështu, duke theksuar se me respektin më të madh i është drejtuar edhe Komunës së Prishtinës me shkresat e duhura dhe tashmë ky proces ka filluar, duke kujtuar kohën e 29 viteve më parë, në vitin 1990 kur është bërë vizita e parë e një delegacioni të lartë të senatorëve amerikanë në Kosovë.

“Përderisa Senatori Dole ishte në hotelin Grand duke bashkëbiseduar me udhëheqësin e atëhershëm të shqiptarëve, presidentin tonë historik, Ibrahim Rugova, policia, regjimi i Millosheviqit kishte filluar keqtrajtimin e qytetarëve jashtë. Kjo vizitë ishte kthesë, kjo vizitë ishte një nismë për së mbari e Kosovës dhe kështu u vazhdua nga të gjithë ata që na nderuan me vizita më pastaj në Kosovë dhe kështu u vazhdua me përkrahjen e vitit ’99, me ndërprerjen e tragjedisë dhe kthimin e jetës në Kosovë dhe mendoj se sot, i gjithë populli i Kosovës e nderon veten dhe këtë miqësi”, tha kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se janë të gëzuar që populli i Kosovës i drejtohet me një nderim dhe në shenjë falënderimi për kontributin e tij jetësor për Kosovën, senatorit Bob Dole.

“Falënderojmë Presidentin Trump për kujdesin për Kosovën dhe njëkohësisht urojmë që miqësia jonë Kosovë-Amerikë të jetë e përjetshme. Zoti e Bekoftë Kosovën! Zoti e bekoftë Amerikën!”, tha ai.

Po ashtu, kryeministri në detyrë Haradinaj beson se artisti Luan Mulliqi, të cilit i është besuar kjo detyrë, do të na nderojë po ashtu dhe do të jemi të nderuar.

Busti i senatorit Bob Dole planifikohet të përurohet më 28 nëntor 2019, që përkon me Ditët e Falënderimeve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës./KlinaPress/