Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se sot ka njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes së tij të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës.

Ai në një postim në llogarinë e tij në Facebook, ka shkruar se deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do ta vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje.

“Sot, përmes një letre, i kam njoftuar krerët e institucioneve dhe liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvend, për vendimin e dorëheqjes sime të parevokueshme nga funksioni i Kryeministrit të Republikës së Kosovës. Në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe ligjet e aplikueshme, kam ftuar që të ndërmerren hapat e nevojshëm për shpalljen e zgjedhjeve të përgjithshme nacionale, në mënyrë që e drejta për të zgjedhur t’i kthehet sovranit. Deri në zgjedhjen e Qeverisë së re, do të vazhdoj kryerjen e detyrave kushtetuese si Kryeministër dhe Qeveri në dorëheqje”, ka shkruar ai.

KESCO

Kujtojmë se Haradinaj, të premten pas përfundimit të mbledhjes së Qeverisë ka lexuar letrën e dorëheqjes së tij.

Sipas tij arsyeja e dorëheqjes është ftesa nga Gjykata Speciale si i dyshuar.

“Sot informova Qeverinë do t’i informojë edhe institucionet tjera për dorëheqjen time të parevokueshme. Arsyeja është se kam marrë ftesë nga Gjykata Speciale si i dyshuar, javën tjetër do të paraqitem në Gjykatën Speciale, dhe kam vlerësuar së nuk mund të paraqitem si kryeministër i Kosovës, por do të paraqitem si qytetar i thjeshtë, pra si Ramush Haradinaj, Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar”, pati thënë Haradinaj. /KlinaPress/