Connect with us

Superliga e Kosovës

Ismet Munishi ka ide të qarta se si duhet të mbyllet kampionati në Kosovë

Published

on

Pex Host Big

Përhapja e coronavirusit në Kosovë, bëri që Qeveria t’i pezullojë të gjitha aktivitetet sportive në vend, shkruan Gazeta inFokus.

Që nga 13 marsi kur Ekzekutivi i vendit mori vendimin, të gjitha klubet i kanë ndërprerë stërvitjet në grup.

Kohën e izolimit, futbollistët po e kalojnë duke u stërvitur individualisht nëpër shtëpitë e tyre, e disa edhe në ambient të hapur.

KESCO

Ata po monitorohen përmes aplikacioneve të ndryshme “online”, për aktivitetin fizik që po e kryejnë gjatë kësaj kohe.

Gazeta inFokus ka realizuar një intervistë ekskluzive me trajnerin e Ballkanit, Ismet Munishin, i cili ka rrëfyer shumëçka pas pezullimit të futbollit nga frika e përhapjes së coronavirusit, e deri te mënyra se si duhet të përfundojë kampionati.

‘Stërvitjet individuale po shkojnë shumë mirë. Jam tepër i kënaqur me përkushtimin dhe disiplinën në punë të lojtarëve” tha fillimisht Munishi.

Ai tregoi se kanë një aplikacion special, përmes të cilit cilin i monitoron stërvitjet e futbollistëve.

“Po e kemi aplikacionin siç po shihet në foto. Monitorojmë në përpikëri stërvitjet e futbollistëve live”, tregoi tekniku prishtinas.

Trajnerit të Ballkanit po i mungon shumë futbolli.

“Situata është monotone dhe kërkon durim, na mungon futbolli shumë”, u shpreh Munishi për Gazetën inFokus.

45 vjeçari theksoi se kjo kohë e qëndrimit në shtëpi do të ndikojë në formën e futbollistëve.

Por, ai beson në kualitetet e lojtarëve të tij dhe premton rikthim të furishëm.

“Pa dyshim se do të ndikojë në formën e futbollistëve, por skuadra jonë ka shumë kualitet do të rikthehemi furishëm”, tha trajneri i skuadrës nga Suhareka.

Fotografia e El'Zan Gashi

Pas situatës që është krijuar, Munishi pret ndihmë nga Ministria, FFK-ja dhe UEFA.

Gjithashtu, ai shtoi se është i gatshëm të punojë në çfarëdo do rrethane.

“Duhet mobilizim nga të gjitha instancat, presim ndihma simbolike nga ministria, ndihmë me të madhe nga UEFA dhe FFK-ja dhe normal do të kemi mirëkuptim. Unë jam i gatshëm të punoj në çfarëdo rrethana, këtë e kam dëshmuar edhe me herët”, pohoi ish-trajneri i Vushtrrisë, Hajvalisë, Dritës, Feronikelit, Besës e Vëllaznimit.

Ismet Munishi thotë se kampionati ose do të rinisë ose do të merret përsysh tabela aktuale.

Trajneri i njohur i futbollit kosovar, ka edhe një ide se si do të mund të ishte kampionati në sezonin e ri.

“Kampionati ose do të rinisë ose do të merret për bazë tabela aktuale dhe asnjë skuadër të mos bjerë nga liga, por liga të zgjerohet me dy ekipet që do të hynë në ligë dhe vitin tjetër të luhet me dy faza, faza e parë normal dhe faza e dytë play-off, 6-të të parat play-off, ndërsa të tjera nga vendi i shtatë e tutje të luftojnë 8 skuadra, e dy prej tyre te sigurojnë mbijetesën do të kishim një kampionat të zjarrtë”, deklaroi trajneri i liderit të Superligës për Gazetën inFokus.

Munishi deklaroi se do të ishte absurde nëse do të anulohej kampionati.

“Ne asnjë mënyrë nuk guxon të shpallet i pavlefshëm kampionati, dikush duhet të luajë në garat evropiane këtë vit, kjo kish me qenë absurditeti me i madh nëse kampionati shpallet i pavlefshëm. Ne jemi me plot meritë të parët”, tha Munishi.

Shefi i shtabit teknik të Ballkanit shpjegon mënyrën e tij se si të dilet nga kjo gjendje që është krijuar.

‘Dalja nga kjo situatë ju thash të merret parasysh tabela aktuale, të zgjerohet liga dhe në qershor të fillojmë stërvitjet për kampionatin e ri, futbolli pa shikues nuk ka kuptim. UEFA nuk po kërkon zgjidhje ajo vetëm po e shtyn problemin. UEFA duhet të dalë me një paket te masave si financiare, si administrative ta shpëtojnë futbollin kësaj radhe klubet në të gjithë Evropën janë në rrezik të madh te shuhen, edhe te ne mundet me pas probleme, por jo aq të mëdha”, theksoi ai.

Fotografia e Ismet Munishi

Për fund Ismet Munishi dha një mesazh për të gjithë pas kësaj situate të krijuar.

“Mesazhi im është ta fitojmë këtë ndeshje kundër virusit me disiplinë, duke pasur kujdes te madh në pastërti dhe lëvizje shumë të kufizuara. Rri në shpi ta çmojmë sportin dhe jetën me tepër, te ketë respekt dhe ndershmëri kur ta kalojmë krizën”, përfundon Ismet Munishi.

Ismet Munishi aktualisht është trajneri i klubit të Ballkanit nga Suhareka që është lider i Superligës së Kosovës në futboll me 44 pikë pas 22 ndeshjeve të zhvilluar deri para se coronavirusi ta pezullohet elitën e futbollit kosovar.

Mushishi e ka fituar titullin e kampionit dhe Superkupën e Kosovës me Llamkos Kosovën në vitin 2014.

Në po atë vit, është shpall edhe trajneri më i mirë në vend nga Federata e Futbollit e Kosovës.

Në opinion njihet me nofkën “Ismet baba” dhe është ndër trajnerët më karizmatik në vend.

Në të kaluarën, e ka drejtuar edhe Hajvalinë, Dritën, Vëllaznimin, Feronikelin dhe Besën./Gazeta inFokus/

Fotografia e Fuat Furra