Connect with us

Lajme

Osmani: Asnjë zyrtarë me aktakuzë nuk do të përfshihet në qeverinë tonë

Published

on

Mëso shqip – MDIS

Me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, kandidatja e LDK-së për kryeministre Vjosa Osmani, sot vizitoi shtëpinë – shkollë të viteve të nëntëdhjeta, të familjes Hertica.

Osmani tha se objektet e tilla që kanë ndihmuar në ndërtimin e Republikës së Kosovës duhet të shndërrohen në muze të kujtesës dhe rezistencës, në mënyrë që fëmijët, të cilët sot shkojnë në shkollë, ta shohin se në çfarë kushtesh kanë mësuar prindërit e tyre.

Kandidatja për kryeministre nga radhët e LDK-së, nuk la pa kritikuar partitë e deritashme në pushtet, për shkak të gjendjes së krijuar në sektorin arsimor.

KESCO

“Edhe sot e tutje, mesazhi ynë para botës duhet të jetë që rezistenca e jonë dhe të gjitha betejat tona, ne do t’i luftojmë me dije dhe vetëm me dije. Por, situata e tanishme është turp për shtetin tonë. Jo vetëm rezultati në PISA, por sot e kemi një keq menaxhim të skajshëm, një politizim të skajshëm, ku politikanë të cilët kurrë nuk janë njohur për dije, por të cilët brenda dy muajsh doktor shkence udhëheqin universitete apo tentojnë të udhëheqin universitete. Prandaj, edhe LDK-ja do të ofrojë jo vetëm de-politizim, por një transformim të sistemit arsimor”, tha Osmani.

Ajo tha se pushteti i deritashëm ka përgjysmuar investimet në arsim në krahasim me vitet paraprake, ndërsa me qeverisjen e LDK-së premtoi se do të ndodhë e kundërta.

“Sot, kemi parti në pushtet, të cilat bëjnë investimin më të vogël në tërë rajonin tonë për kokë banori sa i përket fushës së arsimit. Kemi një pushtet, i cili e ka përgjysmuar investimin në arsim në krahasim me vitet paraprake. Ne do të bëjmë të kundërtën, sepse siç e thashë, parakusht për zhvillim në të gjitha fushat tjera është dija dhe kjo kërkon investim në arsim, kërkon investim në njerëz. Nuk ka shtet në botë që ka arritur sukses pa e prioritizuar arsimin, ndaj edhe ne do të mësojmë nga këto storie suksesi”, theksoi ajo.

Se, a do të ketë zyrtarë të LDK-së me aktakuza në listën për deputet dhe cili do të jetë përfaqësimi gruas në këtë listë, Osmani deklaroi se Qeveria Mustafa ka qenë e para që ka vendosur si parim që mos të ketë asnjë njeri me aktakuzë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, parim të cilin do të vazhdojë ta ndjekë.

“Ne, ende nuk e kemi filluar përpilimin e listës, është proces që do të fillojë nga nesër, sepse deri tani kemi marrë vetëm propozimet nga degët, do t’i shikojmë propozimet që kanë ardhur, sepse si kryesi qendrore fare nuk jemi përzier në propozimet që kanë ardhur nga degët. Mirëpo, pastaj të gjitha ato propozime do të filtrohen, duke marrë për bazë parimet themelore mbi të cilat ne po e ndërtojmë programin tonë. Natyrisht, ndër parimet kryesore është sundimi i ligjit, para së gjithash këto do t’i vendosim bashkërisht, por ne kemi një program ku parakusht është luftimi i fenomeneve siç janë krimet dhe korrupsioni. Siç e dini, Qeveria Mustafa ka qenë e para që ka vendosur si parim që mos të ketë asnjë njeri me aktakuzë në Qeverinë e Republikës së Kosovës, atë parim e ka ndërtuar LDK-ja dhe atë parim do të mbajmë edhe tash e tutje”, pohoi Osmani.

Sa i përket çështjes së grave, Osmani beson që përtej numrave, tash është evidente që përfaqësim më të fuqishëm të grave se sa LDK-ja nuk ka dhe nuk do të ketë askush.

Ndërsa, Fadil Aliu në emër të familjes Hertica, falënderoi Vjosa Osmanin për vizitën dhe shprehi bindjen se kjo shtëpi-shkollë të shndërrohet në ambient më të mirë.

“Edhe unë në emër të familjes ju uroj të gjithëve fillimin e vitit të ri shkollor. Krejt çka mund të them, shpresoj që të gjejmë kohë që shtëpinë-shkollë ta shndërrojmë në një ambient më të mirë, që në të ardhmen vizitat e tilla të jenë në një ambient më të këndshëm”, tha Aliu.

Shtëpia e Herticëve, në periudhën 1992-1999, shërbeu si shtëpi-shkollë, në të cilën janë shkolluar rreth 10 gjenerata të gjimnazit “Sami Frashëri” në kohën e sistemit paralel në Kosovë. /KlinaPress/