Lajme
Pas furtauave, këto temperatura përvëluese po e presin Shqipërinë

Pas stuhive që tmerruan Shqipërinë, temperaturat arrijnë deri në 40 gradë.
Vala e të nxehtit që mbërtheu kontinentin evropian duke thyer rekorde, duket se tashmë po kthen sytë drejt rajonit të Ballkanit.
Në hark kohor, vala pritet të jetë relativisht e gjatë.
Kulmi i të nxehtit do të regjistrohet të dielën dhe të mërkurën e ardhshme, ku temperaturat në Italinë e Jugut, por edhe në Shqipëri mund të arrijnë deri në 40 gradë Celsius, raporton “Top Channel”.
Mes së shtunës dhe të hënës së ardhshme, i nxehti do të intensifikohet edhe më në veri, por do të qëndrojë rreth kufirit të 35 gradëve.
Sidoqoftë, deri atëherë, i nxehti në rajon do të jetë më i përmbajtur, kjo edhe falë kalimit të një mase ajri të freskët nga Atlantiku.
Vala e fundit e të nxehtit i mori jetën disa personave në Evropë, ku temperaturat në Francë arritën një rekord të ri prej 45.9 gradë Celcius. Për të nxehtin përvëlues, meteorologët fajësuan masën e ajrit të nxehtë, të ardhur nga Afrika Veriore.
Franca është shndërruar në vendin e shtatë në Evropë që kalon kufirin e 45 gradëve Celsius, bashkë me Bullgarinë, Portugalinë, Italinë, Spanjën, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut./KlinaPress/