Connect with us

Lajmet/Botë

Përse vazhdojnë të shfaqen viruse të reja në Kinë?

Published

on

PEX HOST 728×90

Në fund të vitit 2019 Kina hasi rritje të pashpjegueshme të rasteve me pneumoni. Nuk kaloi shumë dhe disa prej mijëra rasteve të para u bënë fatale.

Mjekët kinezë e quajtën shkaktarin e pneumonive, COVID-19 – Coronavirus Disease 2019 – thënë ndryshe “sëmundja e koronavirusit 2019”.

Në përpjekje për të gjetur origjinën e koronavirusit të ri, mjekët identifikuan si vend mundësisht burimor një treg të mishit dhe gjësë së gjallë në Wuhan, një qytet prej 11 milionë banorësh mbi 1 mijë kilometra në jug të Pekinit.

KESCO

Rezultoi se 27 prej 41 pacientëve të parë kishin qenë në këtë treg. Nuk ishte e dhënë thelbësore, por shteti kinez vendosi ta mbyllë menjëherë tregun prej historive të ngjashme në të shkuarën.

Në vitin 2002, një koronavirus që u quajt SARS, u përhap nga një treg i ngjashëm në juglindje të Kinës, preku 29 shtete dhe vrau rreth 800 njerëz.

Tetëmbëdhjetë vite më vonë, koronavirusi i ri COVID-19 është kthyer në pandemi. Ai është përhapur me rreth 130 mijë të infektuar në mbi 110 shtete dhe ka vrarë mbi 4 800 persona – mbi 4 mijë vetëm në Kinë e Itali.

Por çfarë lidhje kanë tregjet e gjësë së gjallë me epidemitë e koronavirusit dhe pse ndodh që viruset të përhapen nga Kina?

Shumë viruse që shkaktojnë sëmundje te njerëzit burojnë prej kafshëve. Disa viruse të gripit vijnë nga derrat dhe shpendët. HIV-i mendohet se buron nga shimpanzetë, Ebola nga lakuriqat e natës etj.

Në rastin e COVID-19, të dhëna tregojnë se, përpara se të kalonte te njeriu, virusi kaloi nga një lakuriq nate te një pangolin – gjitar i veshur me luspa dhe me hundë të zgjatur, që jeton kryesisht në Afrikë e Azi.

Viruset janë të afta të kalojnë nga një specie në tjetrën, por janë të rralla rastet kur viruse kaq vrastare të kapërcejnë në të tillë mënyrë te njeriu, kjo pasi nevojitet që speciet të jenë pranë njëra-tjetrës.

Në këtë pikë lidhet si arsye e fortë tregu i mishit dhe gjësë së gjallë në Wuhan. Një vend ku kafshët mbahen në kushte të rënda higjienike dhe kafaze njëra mbi tjetrën.

Në të tilla kushte viruset mund të kalojnë nga një kafshë te një tjetër. Më pas, nëse një kafshë e infektuar bie në kontakt me njeriun, virusi mundet të kalojë te ata e kështu mund të shpërthejë epidemi.

Tregje të ngjashme ka në gjithë botën, por ato të Kinës janë më të njohurat pasi ka të gjitha llojet e kafshëve – edhe kafshë të egra.

Arsyeja se përse tregjet e kafshëve në Kinë janë të shumëllojshme lidhet me një vendim që shteti kinez mori dhjetëra vite më parë.

Në vitet ’70 Kina ishte gjunjëzuar nga uria masive. Rreth 35 milionë njerëz vdiqën nga mungesa e ushqimit.

Regjimi komunist, që zotëronte të gjitha kapitalet e prodhimit dhe aplikonte praktikën e tufëzimit, po dështonte të mbante me bukë rreth 900 milionë njerëz.

Në vitin 1978, në prag kolapsi, regjimi hoqi dorë nga kontrolli i çdo kapitali dhe lejoi fshatarët të krijonin ferma private.

Për faktin se kompanitë shtetërore kontrollonin prodhimin e produkteve të para dhe tregun e kafshëve të buta shumë fshatarë gjetën mbijetesë te kapja dhe mbarështrimi i kafshëve të egra. Filloi me breshkat, gjarpërinjtë, lakuriqët e natës etj.

Për faktin se në të tillë mënyrë njerëzit po ushqeheshin dhe po krijonin të ardhura, shteti kinez e mbështeti.

Në vitin 1988 kafshët e egra u quajtën pronë të shtetit dhe u konsideruan burim natyror. Me të tillë qasje, shfrytëzimi i këtij “burimi” u inkurajua nga shteti. Kështu nisi një industri më vete.

Fermat e vogla u kthyen shpejt të mëdha me shtrirje në disa zona dhe me mbarështrim të shumëllojshëm kafshësh. Në treg filloi dhe kontrabanda, shkruan exit.al.

Kafshë të shpallura në zhdukje si tigrat apo rinocerontët u trafikuan drejt Kinës. Deri në fillim të viteve 2000 ky treg po njihte lulëzim të vazhdueshëm.

Në vitin 2003 shpërtheu epidemia e koronavirusit të njohur si SARS. Burimi ishte një treg në qytetin e Foshanit në juglindje të Kinës.

Mjekët zbuluan gjurmë të virusit në një fermë mbarështrimi macesh të egra afrikane – Civettictis civetta.

Menjëherë pas këtij zbulimi autoritetet kineze mbyllën tregun dhe ndaluan mbarështrimin e kafshëve të egra, por pak muaj pas qetësimit të situatës epidemike të SARS-it, vendimi u tërhoq.

Tregu i kafshëve të egra në Kinë varion nga 1 deri në 2 miliardë dollarë. Zë peshë të papërfillshme në prodhimin e brendshëm bruto, por nga pas ka një rrjet të fuqishëm lobues, që prek edhe zyrtarët kinez.

Prej viteve 2000 promovimi i mbarështrimit të kafshëve të egra ka kapërcyer kufijtë e krahinave kineze aq sa të krijohet stereotip i përgjithshëm rreth konsumit të tyre.

Në fakt shumica e popullsisë kineze nuk ushqehet me kafshë të egra. Konsumatorët e tyre mendohet të jenë kryesisht të pushtetshmit dhe të pasurit.

Organizata ndërkombëtare të mbrojtjes së kafshëve kanë advokuar ndryshimin e gjendjes në Kinë.

Prej shpërthimit të koronavirusit të ri, Kina ka ndaluar sërish mbarështrimin e kafshëve të egra ndërsa ka mbyllur disa tregje të tregtimit të tyre.

Por deri sa ndalimi të bëhet i përhershëm, nuk ka garanci se epidemi të tjera nuk do të shpërthejnë sërish./KlinaPress./